Ani pse zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) janë ende larg, debati për udhëheqjen e ardhshme të partisë ka nisur tashmë. Përplasjet verbale ndërmjet kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me postin e kryetarit të partisë, deputeti i kësaj partie, Ukë Rugova, i sheh si pjesë të demokracisë së brendshme, duke shprehur mirëkuptim për vështirësitë me të cilat përballet Abdixhiku në këtë pozitë.
Rugova në një intervistë për Ekonomia Online, ka theksuar se LDK-ja, ka traditë demokratike dhe se është e rëndësishme që proceset brenda partisë të zhvillohen në frymën e demokracisë.
“LDK-ja ka zgjedhje të rregullta vitin e ardhshëm, në nëntor të vitit të ardhshëm, dhe deri atëherë të shohim cilët kandidatë do të jenë dhe a do të vazhdojë zoti Abdixhiku, apo do të ketë kandidatura të tjera. LDK-ja është partia e parë demokratike që është themeluar në këto treva, në trojet etnike shqiptare, por po ashtu edhe në rajonin e Ballkanit, sado që demokracia është prezente gjithmonë në LDK”, ka deklaruar Rugova.
I pyetur për deklaratat rreth garës për kryetar të LDK-së dhe për përplasjen verbale ndërmjet Përparim Ramës dhe Lumir Abdixhikut, si dhe nëse do ta mbështeste njërin prej tyre, Rugova ka thënë se për momentin nuk dëshiron të përcaktojë se kë do ta përkrahë.
“Po, kjo është pjesë e demokracisë së brendshme në LDK, t’i presim kur vjen koha e zgjedhjeve, atëherë e shohim se kë e përkrahim”, ka thënë ai.
Rugova është pyetur edhe nëse pret që, përveç kandidatëve të mundshëm që janë përmendur deri më tani, të ketë edhe kandidatura të tjera për udhëheqjen e partisë.
“Zakonisht në LDK gjithmonë ka kandidat dhe kundërkandidat, sado që nuk është diçka e re edhe nëse del ndonjë kandidat tjetër”, është shprehur deputeti i LDK-së, për Ekonomia Online.
Duke folur për punën e kryetarit aktual të partisë, Lumir Abdixhiku, dhe mundësinë që ai ta ketë mbështetjen e tij për vazhdimin e mandatit, Rugova ka thënë se e kupton vështirësinë e pozitës që Abdixhiku ka trashëguar, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e LDK-së dhe udhëheqjen e saj nga ish-presidenti Ibrahim Rugova.
“Po, kam përsëritur shpesh që për zotin Abdixhiku nuk është e lehtë të trashëgojë një pozitë atje, ku është si kryetar i LDK-së pas partisë, partisë prej prezencës së Ibrahim Rugovës, vetë duke qenë e di se çfarë presioni është, sado që e kuptoj që edhe zoti Abdixhiku, kryetari Abdixhiku, nuk e ka të lehtë”, ka deklaruar ai.

