Vajza e shtetasit të Kosovës, me inicialet H.H., i cili prej 77 ditësh po mbahet nën akuzë për krime lufte nga autoritetet serbe, ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet e Kosovës.
Në një letër zyrtare për Klan Kosova, Anita Haziri ka apeluar urgjentisht për reagim institucional, duke thënë se babai i saj, 77-vjeçar, po mbahet në kushte jo humane dhe pa asnjë provë konkrete ndaj tij.
Ajo theksoi po ashtu se babai i saj ndodhet në gjendje të brishtë shëndetësore.
Letra e plotë:
Lënda: Kërkesë urgjente për ndërhyrje institucionale lidhur me ndalimin e shtetasit të Kosovës, H.H., i cili ka 77 ditë në mbajtje nga autoritetet serbe I nderuar/ e nderuar, Unë, Anita Haziri,vajza e shtetasit të Kosovës H.H. (i lindur në vitin 1948), po ju drejtohem me këtë lutje të sinqertë dhe urgjente që institucionet e Republikës së Kosovës të ndërhyjnë sa më shpejt lidhur me situatën dramatike të babait tim, i cili tashmë 77 ditë po mbahet i ndaluar nga autoritetet serbe në Merdar, nën akuza të pabazuara për “krime lufte”.
Baba im është njeri i moshuar, 77 vjeçar, me gjendje të brishtë shëndetësore dhe gjatë gjithë jetës së tij ka qenë qytetar i qetë, familjar, pa asnjë të kaluar kriminale.
Arrestimi i tij ka tronditur gjithë familjen tonë dhe ka shkaktuar dhimbje të madhe psikologjike dhe emocionale.
Ne po jetojmë në pasiguri të plotë dhe frikë për shëndetin e tij, sepse ai po mbahet në një mjedis ku as nuk ka siguri, as trajtim adekuat mjekësor, dhe ku mund të përballet me presione të ndryshme psikologjike dhe fizike.
