Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, të mërkurën e rezervoi për vizitat e saj në Beograd, Prishtinë e Shkup. Me të përfunduar agjendën e saj në Serbi, me aeroplan u nis drejt Kosovës ku u prit në aeroport nga ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla.
Kjo e fundit në një postim në Facebook la të kuptohet se shefja e BE-së po e gjen Kosovën thellë të angazhuar në punë drejt integrimit europian.
Nga aty, von der Leyen u drejtua për në zyrën e të parës së shtetit, Vjosa Osmani, nga e cila pranoi disa kërkesa e ankesa për masat ende në fuqi kundër Kosovës, por edhe zotimin se Kosova është gati të ecë përpara “me përkushtim, me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen europiane”.
Në takim, siç tha Presidenca, Osman i theksoi “domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Europian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024”.
Sidoqoftë, pak më vonë, von der Leyen ia përsëriti Kosovës kërkesën e njëjtë për “ulje të tensioneve”, e cila është kusht për heqjen e plotë të masave meqë pjesërisht ka filluar largimi i tyre, duke nënkuptuar se s’janë plotësuar kushtet për plotësim të kërkesës së Osmanit.
Presidentja gjithashtu tha se shprehi pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit.
“Duke folur për përpjekjet e Kosovës drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian në këtë proces mbetet thelbësore. Ajo ritheksoi përkushtimin e popullit të Kosovës, popullit më pro-evropian në botë, për të ardhmen evropiane të vendit tonë”, tha Presidenca.
Kërkesa të tjera von der Leyen mori edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të cilit s’i shkoi në zyrën e tij.
Për këtë takim u caktua një sallë e rëndomtë e Kuvendit të Kosovës, që përdoret nga Kryesia e Kuvendit për mbledhje, në krye të së cilës ishin vendosur flamujt e Kosovës dhe BE-së.
Shefja e BE-së zbatoi një vendim që kishte marrë Unioni për të mos i shkuar në zyre asnjë zyrtar i BE-së Kurtit derisa Kosova të kishte një qeveri me mandat të plotë.
Këtë lajm ia kishte dhënë qeverisë në detyrë të Kurtit më 8 gusht të këtij viti, ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav, përmes një letre, derisa në Kuvend po vazhdonin zvarritjet për konstituimin e legjislaturës së re.
Sipas letrës së dërguar, vendimi u mor pas “aktgjykimit të Gjykatës Supreme të 25 qershorit” që shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pasi argumentoi se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
