Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë ka vendosur ta shtyjë edhe një herë shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e caktuar përfundimisht 16 shtatorin si datën për ta kumtuar vendimin.
Në vendimin e publikuar të mërkurën, Trupi Gjykues thekson se një zgjatje e mëtejshme e afatit është “absolutisht e nevojshme” për shkak të vëllimit të jashtëzakonshëm të provave dhe kompleksitetit të çështjes.
Sipas arsyetimit të gjykatës, gjatë procesit janë administruar dëshmitë e rreth 270 dëshmitarëve, janë pranuar në prova 5.467 materiale provuese, ndërsa transkripti i procedurës arrin në 29.238 faqe. Po ashtu, gjykata vlerëson se çështja mbulon ngjarje që shtrihen në më shumë se një vit e gjysmë, përfshin një numër të madh vendesh ku pretendohet se janë kryer krime dhe shumë incidente individuale.
Trupi Gjykues thekson se, përveç kompleksitetit të provave, procedura ka të bëjë me akuza ndaj katër të akuzuarve, përgjegjësia e secilit prej tyre “duhet të shqyrtohet individualisht dhe me kujdes”.
“Trupi Gjykues konsideron se një zgjatje e mëtejshme është domosdoshmërisht e nevojshme në kuptim të Rregullës 159(1). Trupi Gjykues rikujton se, siç është përcaktuar në Urdhrin për Zgjatjen e Afatit për Shpalljen e Aktgjykimit të Shkallës së Parë: (i) ka pranuar provat e rreth 270 dëshmitarëve (gojarisht dhe me shkrim); (ii) ka pranuar në prova 5.467 materiale provuese; (iii) transkripti i këtyre procedurave ka 29.238 faqe; dhe (iv) ndërlikueshmëria e procedurës në këtë çështje, përkatësisht fakti që ngjarjet e çështjes mbulojnë më shumë se një vit e gjysmë dhe përfshijnë një numër të madh vendesh ku pretendohet se janë kryer krime, si dhe një numër të konsiderueshëm incidentesh individuale. Për më tepër, procedurat kanë të bëjnë me akuza ndaj katër të akuzuarve, përgjegjësia e të cilëve duhet të shqyrtohet individualisht dhe me kujdes. Duke pasur parasysh sa më sipër, për të siguruar që ai të mund të kryejë një vlerësim të plotë dhe të drejtë të tërësisë së provave dhe të japë një opinion të arsyetuar që merr parasysh vëllimin e konsiderueshëm të provave dhe ndërlikueshmërinë e procedurës, Trupi Gjykues është i bindur se një zgjatje e mëtejshme është domosdoshmërisht e nevojshme”, thuhet në vendim.
