Vendimi i Gjykatës Supreme për tarifat doganore përbën një humbje të rëndë për Trumpin. Presidenti amerikan reagoi ndaj këtij vendimi me sulme verbale ndaj gjyqtarëve dhe vendosjen e tarifave të reja mbi importet, shkruan DW.
Gjykatësit më të lartë të SHBA-së dhanë vendimin e tyre: shumica e tarifave doganore të vendosura në mënyrë të njëanshme nga Presidenti Donald Trump janë të pavlefshme dhe të papranueshme, vendosi të premten (20.02) Gjykata Supreme në Uashington. Një vendim historik dhe një humbje e rëndë për Trumpin, reagimi i të cilit nuk vonoi.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme Trumpi shpalli menjëherë një tarifë të re globale për pothuajse të gjitha importet, duke u mbështetur në një bazë tjetër ligjore. Ai gjithashtu i sulmoi verbalisht gjyqtarët: “Më vjen turp për disa anëtarë të gjykatës, vërtet më vjen turp, sepse nuk kanë guximin të bëjnë atë që është e drejtë për vendin tonë,” tha Trumpi në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
“Ata janë shumë jopatriotikë dhe jo besnikë ndaj Kushtetutës sonë”, vazhdoi Trump. Ai gjithashtu i përqeshi mbrojtësit e Kushtetutës duke i quajtur “budallenj dhe qenushë shtëpie”.
Edhe gjyqtarët konservatorë kundër tarifave
Ironia është se edhe gjyqtarë konservatorë, të emëruar personalisht nga republikani Trump, votuan pro ndalimit të tarifave doganore. Arsyeja është se nga fillimi i mandatit të tij të dytë, Trumpi i kishte vendosur tarifat ndaj dhjetëra partnerëve tregtarë gjithmonë duke anashkaluar Kongresin, pra pa u dhënë mundësi deputetëve dhe senatorëve të merrnin pjesë në vendimmarrje. Për të nxjerrë dekretet për tarifat doganore ai ishte mbështetur në një ligj për gjendjen e jashtëzakonshme të vitit 1977.
