Tre persona kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një shpërthimi të dyshuar të një bombole gazi në një lokal në Podujevë, mëngjesin e sotëm.
Lajmin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 08:30 në një lokal në rrugën “4 Dëshmorët”.
“Zyrtarët policorë janë angazhuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Bazuar në informacionet e para dyshohet se shpërthimi ka ardhur nga një bombolë gazi, ku tre persona kanë pësuar lëndime. Personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor në urgjencën e qytetit”, ka deklaruar Ahmeti.
Ajo shtoi se Policia e Kosovës po qëndron në vendngjarje dhe po merret me sqarimin e rrethanave të incidentit.