Janë publikuar pamjet lidhur me tragjedinë në Roskovec të Shqipërisë, konkretisht momentet e operacionit të forcave speciale RENEA, të cilat kanë rrethuar automjetin ku ndodhej 35-vjeçari Refit Buzi, pas pengmarrjes së 24-vjeçares Rozalinda Plaku.
Në video shihen efektivët e RENEA-s dhe negociatorët e Policisë së Shqipërisë, të cilët për disa orë me radhë përpiqen ta bindin të dyshuarin të dorëzohet dhe të lirojë të renë, ndërsa në terren ndodheshin edhe drejtues të Policisë së Fierit dhe prokurorë të Prokurorisë së Fierit që ndoqën nga afër të gjithë operacionin.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të negociatorëve për t’i dhënë fund situatës pa pasoja të tjera, Refit Buzi refuzoi të dorëzohej.
Pas një operacioni të gjatë dhe delikat, 24-vjeçarja Rozalinda Plaku u lirua e padëmtuar dhe u dërgua në një zonë të sigurt.
Negociatat e punonjësve të policisë me 35-vjeçarin vijuan edhe për disa orë me radhë, derisa ky i fundit i dha fund jetës brenda makinës.
