Gjatë ndeshjes parakualifikuese për Kampionatin Botëror në basketboll mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë, një pjesë e tifozëve lëshuan kore dhe thirrje të hapura anti-shqiptare. Ndeshja u shikua nga afër edhe nga shumë figura shtetërore, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministra të kabinetit të tij.
Në thirrjet e tifozëve dëgjohet të thuhet: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.
Përgjatë zhvillimit të ndeshjes, u dëgjuan edhe thirrje të tjera skandaloze dhe nxitëse të urrejtjes etnike, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”, që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë evropiane.
Ndaj fyerjeve raciste kanë ardhur reagime të mëdha nga Shqipëria, nga disa parti politike në Maqedoni të Veriut, por jo edhe nga pushteti në Kosovë, ndërsa kanë reaguar disa parti, konkretisht deputetë të PDK-së e AAK-së, shkruan Reporteri.
Hesht pushteti, reagime veç nga PDK e AAK
Për dallim nga pushteti në Shqipëri, në Kosovë ende nuk ka pasur asnjë reagim për fyerjet raciste ndaj shqiptarëve që u bën në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë.
Ende asnjë fjalë nuk e ka thënë as presidentja Vjosa Osmani, as kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe as ministrja në detyrë e Punëve të Jashme, Donika Gërvalla
Ndërsa pushteti ka zgjedhur heshtjen, megjithatë nga Kosova kanë reaguar deputetë të dy partive, PDK-së e AAK-së.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, përmes një shkrimi në Facebook ka kritikuar heshtjen e Kurtit, kryediplomates në detyrë Donika Gërvalla dhe presidentes Vjosa Osmani.
Behrami e ka quajtur “koalicion mes trashëgimise së repesionit jugosllav në Shkup dhe Prishtinë” atë të VLEN’it.
“Hristijan Mickoski është bërë Kryeministër i Maqedonisë së Veriut me bekimin dhe votën që ia solli drejtpërdrejt Albin Kurti përmes koalicionit VLEN. Ky ishte çasti kur një projekt politik i promovuar si “shpresë për shqiptarët” u kthye në instrument të ngritjes së një pushteti të mbushur me nostalgji për represionin e vjetër dhe urrejtje ndaj identitetit shqiptar. Sot, ndërsa në Shkup bërtiten parulla fashiste kundër shqiptarëve, Kurti hesht. Heshtja e tij është më shumë se indiferencë, është bashkëfajësi politike dhe morale. Sot hesht edhe Donika Gërvalla, e cila kinse përfaqëson zërin diplomatik të Kosovës në skenën ndërkombëtare, por është zë i urrejtjes kundër oponentëve politik. Sot hesht edhe Presidentja Vjosa Osmani, vetë viktimë e përbuzjes institucionale të qeverisë së Mickoskit në incidentin e aeroportit. Heshtja e saj është dëshmi e transformimit në figurë të nënshtrimit”, ka shkruar Behrami.
Ai tutje thotë se ky nuk është më vetëm një problem i Maqedonisë së Veriut, por “është një koalicion i rrezikshëm mes trashëgimisë së represionit jugosllav në Shkup dhe Prishtinë dhe klasës politike shqiptare servile që ka zgjedhur heshtjen në emër të interesave personale”.
“Shqiptarët nuk mund të jenë më spektatorë të këtij solidariteti të heshtur kundër vetes”, ka shkruar ai.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj në reagimin e tij ka kritikuar Kurtin për mosreagim.
“Ndryshimi” që e solli Albin Kurti në Maqedoni të Veriut po ju bën të fala me klithmat shurdhuese: “Dhoma gazi për shqiptarë”. “Shqiptari i mirë është vetëm shqiptari i vdekur “Maqedoni e pastër (pa shqiptarë”. “Shqiptarët e mallkuar ta dijnë se emri Maqedoni nuk zhduket”. Asnjë fjalë, asnjë reagim nga Kurti, kumbara i koalicionit qeverisës në Maqedoni të Veriut”, ka shkruar Haradinaj.
Reagimet nga Shqipëria
Zëshëm ndaj thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve kanë reaguar nga Shqipëria, duke i quajtur të papranueshme.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar në lidhje me thirrjet që ajo i konsideroi ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve në një ndeshje basketbolli mbrëmë në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.
“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”.
“Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik”, u shpreh Spiropali.
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka shprehur shqetësimin pas thirrjeve raciste që u dëgjuan gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë mbrëmë.
