Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka bërë thirrje për unitet, dashuri dhe solidaritet gjatë ligjëratës së mbajtur në manifestimin qendror të Kurban Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, duke theksuar se Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik e ekonomik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore.
Para besimtarëve, Tërnava kritikoi përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake, duke thënë se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat sipas tij kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.
“Vendi ka nevojë për stabilitetin ekonomik e politik dhe institucione funksionale e përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore, përplasjet e pafundme të partive tona, kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional, nuk i shërbejnë Kosovës, por dobësojnë besimin qytetar dhe zbehin shpresën e brezit të rii. Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës. Stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar”, tha myftiu Tërnava.
