Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse masa të menjëhershme për mbrojtjen e punëtorëve të ndërtimtarisë gjatë valës aktuale të të nxehtit, duke paralajmëruar se temperaturat e larta po rrisin ndjeshëm rrezikun e aksidenteve dhe humbjeve të jetës në vendet e punës.
Sipas BSPK-së, sektori i ndërtimtarisë vazhdon të jetë sektori me numrin më të madh të aksidenteve dhe vdekjeve në punë në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2025, Inspektorati i Punës ka evidentuar 602 raste lëndimesh në vendin e punës, ndërsa 33 për qind e tyre kanë ndodhur në sektorin e ndërtimit.
Sindikatat rikujtojnë se më shumë se 170 punëtorë kanë humbur jetën në vendet e tyre të punës që nga viti 2018, ndërsa viti 2025 është shënuar si viti me numrin më të madh të viktimave. Vetëm në korrik të vitit të kaluar, tre punëtorë humbën jetën në kantiere ndërtimi në Gjakovë dhe Pejë, gjatë periudhës kur vendi po përballej me temperatura të larta.
BSPK-ja shpreh shqetësim edhe për mungesën e kapaciteteve mbikëqyrëse. Sipas saj, e gjithë Kosova mbulohet nga vetëm 53 inspektorë pune, numër që konsiderohet i pamjaftueshëm për mbikëqyrjen e mbi 1.000 kantiereve aktive dhe dhjetëra mijëra vendeve të tjera të punës.
“Vetë Kryeinspektori i Punës ka pranuar se numri aktual i inspektorëve nuk u përgjigjet nevojave reale të tregut të punës”, thuhet në reagimin e BSPK-së.
Sindikatat kërkojnë që institucionet të ndërmarrin masa të ngjashme me ato të korrikut 2024, kur Ministria e Shëndetësisë kishte urdhëruar ndërprerjen e punës në sektorin e ndërtimtarisë nga ora 11:00 deri në 17:00 për shkak të temperaturave që tejkalonin 36 gradë Celsius.
