Në tryezën e sotme të CIG Western Balkans, të mbajtur në Sarajevë me temën “Si ta bëjmë të funksionojë rruga e Bosnjë dhe Hercegovinës drejt BE-së”, Besnik Tahiri theksoi se ky moment kërkon më shumë lidership strategjik dhe më pak fokus në debate teknike që ngadalësojnë proceset e integrimit.
Tahiri u shpreh se Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe i gjithë rajoni duhet të vendosin përpara vizionin dhe orientimin strategjik, duke mbështetur reformat që sigurojnë stabilitet afatgjatë. “Përparimi drejt BE-së nuk është thjesht një proces teknik. Është një vendim politik, strategjik dhe afatgjatë, i cili kërkon përgjegjësi dhe angazhim real,” tha ai.
Ai theksoi se në rajon ekzistojnë dy të vërteta që nuk ndryshojnë: identitetet kombëtare do të mbeten dhe janë pjesë e pasurisë shoqërore, ndërsa identiteti i përbashkët shtetëror është thelbësor për paqen, stabilitetin dhe rrugëtimin evropian. “Këto dy identitete nuk janë në konflikt. Ato bashkëjetojnë dhe duhet të shihen si forcë, jo si kundërvënie,” deklaroi Tahiri, duke rikujtuar se kompromiset e vitit 1995 hapën rrugën e paqes dhe zhvillimit në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe më gjerë.
