Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në çështjen penale ndaj një grupi të të pandehurve, të dyshuar për përfshirje në vepra të rënda kriminale. Rasti përfshin të pandehurit të dyshuarit me incialet R.N., R.B., A.I., A.Gj., E.I., Sh.B., A.V., B.Sh., R.V., R.B., A.R., E.B., A.M., K.D., O.V., L.T., K.B., K.A., Y.M. dhe S.L., të cilët dyshohen për “pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar”, “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve” si dhe “shpërlarje parash”.
“ Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës, në çështjen penale ndaj të pandehurve: R.N., R.B., A.I., A.Gj., E.I., Sh.B., A.V., B.Sh., R.V., R.B., A.R., E.B., A.M., K.D., O. V., L.T., K.B., K.A., Y.M. dhe S.L., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe “Shpërlarja e parave”, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës. “Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, me aktvendimin PPPS.nr.50/2024 ua kishte vazhduar masën e paraburgimit të pandehurve për një periudhë prej dy (2) muajsh, deri më 03.05.2026, ndërsa në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit e Kosovës-Departamenti Special, me aktvendimin PN1.S.nr.221/2026, i refuzoi si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve dhe e vërtetoi aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv. Kundër këtyre aktvendimeve, siç thuhet, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka ushtruar mbrojtësi i të pandehurit Sh.B..
Gjykata Supreme thotë se pretendimet e paraqitura në kërkesë janë të pabazuara, pasi nga provat e administruara në shkresat e lëndës rezulton dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale që u vihen në barrë, ndërsa vërtetimi i plotë i këtyre fakteve do të jetë objekt i shqyrtimit gjatë fazave të mëtejshme të procedurës penale
