Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar edhe ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ZL.Anr.237/2025, të datës 20.10.2025.
Sipas Supremes, pasi PZAP kishte refuzuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, të paraqitur kundër subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për shkak të parregullsive gjatë votimit për Zgjedhjet Lokale, të mbajtura më datë 12 Tetor 2025, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që “të urdhërohet verifikimi i drejtpërdrejtë i librave origjinalë të votimit për Komunën e Hanit të Elezit, si dhe të konstatohet se votimi i personave të burgosur përbën shkelje të nenit 45 paragraf 2 të Kushtetutës dhe nenit 6 paragraf 2 të Ligjit, si dhe përbënë vepër penale në kuptim të nenit 213 të Kodit Penal të Kosovës”.
“Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar”.
