Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka hedhur poshtë kërkesën e Pjetër Shalës për zgjatjen e afatit për dorëzimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ia uli dënimin nga 18 në 13 vjet burgim për krime lufte.
Përveç kësaj, Shala kishte kërkuar edhe lejimin e shtimit të numrit të fjalëve të lejuara për kërkesën e tij, kërkesë që gjithashtu është refuzuar.
Vendimi lidhur me këto kërkesa është marrë më 8 gusht 2025.
Në vendimin e Supremes, Paneli gjykues konstatoi se afati ligjor për dorëzimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, sipas Ligjit të DhSK-së, është brenda tre muajve nga shpallja e aktgjykimit dhe nuk mund të ndryshohet.
Sa i përket kërkesës për fjalë shtesë, Gjykata thekson se Shala nuk ka ofruar arsye të vlefshme apo rrethana të veçanta që do të justifikonin një përjashtim nga rregullat.
Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara e shpalli më 14 korrik 2025 aktgjykimin dënues ndaj Pjetër Shalës, duke ia ulur dënimin nga 18 në 13 vjet burgim.
Trupi gjykues i përbërë nga Michele Picard (kryetare), Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, vendosi të miratojë pjesërisht pikën 7, 12 dhe 14 të ankesës së Shalës, ndërsa rrëzoi ankesat në të gjitha aspektet e tjera.
Gjykatësi Ambos, i cili lexoi aktgjykimin, deklaroi:
“Miraton pjesërisht pikën 7, pjesërisht pikën 12 dhe pjesërisht pikën 14 të apelit të zotit Shala. Rrëzon pjesërisht verdiktin e fajësisë për pikën 1 dhe 3 të aktakuzës në lidhje me pjesët e tyre që bazohen në ndalimin arbitrar të dy personave dhe në torturimin e pesë personave. Rrëzon apelin e zotit Shala për të gjitha aspektet tjera.”