Gjykata Supreme e ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me përfshirjen e të miturve në aktivitete zgjedhore, duke e lënë në fuqi gjobën prej 6 mijë euro që i ishte shqiptuar kësaj partie nga PZAP.
Ankesat pas të cilave u gjobit VV’ja ishin lidhur me pjesëmarrjen e fëmijëve në dy tubime zgjedhorë të VV’së më 3 qershor, në Podujevë dhe Lipjan.
Pas bashkimit të procedurave, PZAP kishte konstatuar se pjesëmarrja e të miturve në këto aktivitete përbënte shkelje të Rregullores Zgjedhore për Fushatën e Zgjedhjeve, Monitorimin e Fushatës së Zgjedhjeve dhe Deklarimin Financiar.
Në ankesën e paraqitur në Gjykatën Supreme, LVV ka pretenduar se dispozita e lartcekur nuk ndalon çdo prani të të miturve në aktivitete politike, por vetëm angazhimin e tyre aktiv nga subjekti politik, dhe se në rastin konkret nuk ishte provuar një angazhim i tillë.
“Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, përgjigjeve në ankesë dhe provave të administruara në lëndë, Gjykata Supreme gjeti se ankesa është e pabazuar”, thuhet në njoftim.
Gjykata vlerësoi se PZAP ka zbatuar drejt dispozitat relevante të Rregullores Zgjedhore. Sipas vlerësimi, interpretimi i kësaj dispozite duhet të bëhet në përputhje me qëllimin e saj mbrojtës dhe me parimin e interesit më të mirë të fëmijës, të garantuar nga instrumentet vendore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
“Gjykata Supreme ka vlerësuar se përgjegjësia e subjektit politik nuk përjashtohet nga fakti nëse të miturit kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre apo nëse iniciativa për pjesëmarrje ka ardhur nga vetë ata. Gjykata Supreme gjithashtu vlerësoi se PZAP, gjatë caktimit të gjobës, ka marrë parasysh natyrën dhe peshën e shkeljes, ndikimin e mundshëm në procesin zgjedhor, si dhe faktin se subjekti politik ishte i njoftuar me obligimet ligjore dhe ishte sanksionuar edhe më parë për shkelje të ngjashme”, përfundon njoftim