Reperi Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, i cili kandidon për Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, deklaroi se që në klasë të katërt fillore ndjek PD-në.
Në një intervistë me gazetarin e A2 CNN, gjatë Kuvendit të PD-së, ai tha se objektivi i tij është të jetë afër rinisë dhe problematikave të saj, kur u pyet nëse synon të kandidojë për deputet në zgjedhjet e radhës
“Për herë të parë po e them ekskluzivisht tek ju që kam që në klasë të katërt fillore dhe deri tani që ndjek Partinë Demokratike. Vij nga një familje që nuk shesim idealet tona, jemi të qëndrueshëm, të vendosur dhe çfarëdo që ndodhë unë prapë do jem mbështetje të Partisë Demokratike nga fillimi dhe deri në fund. Nuk kam ardhur për një katapultë në politikë. Këtë përgjegjësi e kam marrë vetë. të jem afër të rinjve. Unë vij nga rruga, nga jeta reale, nga muzika dhe më së shumti e di unë se çfarë do rinia. Kam një objektiv timin, të cilin do ta realizoj edhe jam këtu sot, kandidoj për Këshillin Kombëtar, për anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe shpresoj të gjithëve. Unë do merrem me të gjithë e rinjtë demokratë nga Tropoja deri në Sarandë”, tha ai për A2 CNN.
Ai tha se nuk e sheh politikën si një shkëputje nga arti, dhe theksoi se PD do të rikthehet fuqishëm në 2029-n.
“Politika ka qenë hobi im. Po rikthehemi më fuqishëm. Do jemi në terren për të gjitha hallet që të rinjtë janë të papërfaqësuar aktualisht edhe jam gati të bisedoj me ta, të jem me ta për çdo padrejtësi edhe po e them këtu që do jemi shumë më të fuqishëm kësaj radhe. Me doemos që do vijë ajo ditë. Shpresojmë të vijë sa më shpejt. Po punojmë fort, dash Zoti. Shqiptarët ndërgjegjësohen edhe do fitojnë patjetër”.
