Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë thënë se ata kanë Avokatin e tyre të Popullit dhe se vizitat nga Avokati i Popullit i Kosovës, nuk mund të konsiderohen si zyrtare.
Michael Doyle, zëdhënës i DhSK-së ka thënë se në bazë të Kushtetutës së Kosovës, e ndryshuar me shumicë prej 2/3 të Kuvendit të Kosovës, është Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara, gjykatës Pietro Spera, jo Avokati i Popullit i Kosovës, ai që ka kompetencë të garantojë që kushtet në objektin e paraburgimit të DhSK-së të jenë në pajtim me standardet ndërkombëtare për drejtat e njeriut, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas tij, Pietro Spera ka kryer vazhdimisht inspektime të pavarura në objektin e paraburgimit, e që tri i ka bërë vetëm sivjet.
“Në lidhje me mbikëqyrjen e përgjithshme, Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara vepron në mënyrë të pavarur për të monitoruar, mbrojtur dhe ruajtur të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë personave që ndërveprojnë me DhSK-në dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ai mund të marrë ankesa që pretendojnë shkelje të të drejtave të njeriut dhe të kryejë hetime në lidhje me të gjitha ankesat që merr”, ka thënë zëdhënësi i DhSK-së.
Andaj, ai tha se vizita e zhvilluar nga Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, tek të disa të paraburgosur, nuk mund të jetë zyrtare.
“Duke pasur parasysh kompetencën ekskluzive të Avokatit të Popullit të DhSK-së në lidhje me objektin e paraburgimit të DhSK-së, vizita e fundit e Avokatit të Popullit të Kosovës tek disa prej të paraburgosurve nuk mund të jetë zyrtare, sepse funksioni i monitorimit zyrtar kryhet nga Avokati i Popullit i DhSK-së, i emëruar në përputhje me Kushtetutën”, tha Doyle.
Veç kësaj, u tha se krahas Avokatit të Popullit të DhSK-së, objekti i paraburgimit është në proces të monitorimit të rregullt nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, praktikë kjo që zbatohet që nga krijimi i Dhomave të Specializuara.
“Së fundi, në lidhje me kushtet e vizitave në objektin e paraburgimit të DhSK-së, është me rëndësi të theksohet se të gjithë të paraburgosurit vazhdojnë të kenë rregullisht vizita familjare me bashkëshortet dhe fëmijët, të cilat mbahen jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit. Të gjithë të paraburgosurit kanë 10 ditë vizitash personale në çdo periudhë prej 30 ditësh, krahas thirrjeve telefonike dhe letërkëmbimeve të rregullta gjatë tërë muajit”, u tha nga zëdhënësi në këtë konferencë.
Ndryshe, përmes një komunikate për medie më 20 nëntor 2025, Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj ka njoftuar se ka zhvilluar vizitë monitoruese në DhSK, ku thuhet se cizita është kryer nën kufizime të shumta dhe me monitorim të plotë të intervistave në qendrën e paraburgimit.
“Një monitorim i tillë cenon standardet e Komitetit Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), i cili përcakton se vizitat duhet të jenë private, pa prani të stafit sigurues dhe pa kufizime në mbledhjen e informacioneve”, thuhej në komunikatë.
Avokati i Popullit shprehu qëndrimin e tij se mungesa e llogaridhënies së Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj Republikës së Kosovës krijon një rast unik dhe të paprecedent.

