Të panevojshëm e të ndikuar politikisht e konsideron Gjykatën Speciale, njeriu që udhëhoqi ndjekjen penale ndaj ‘kasapit të Ballkanit’, Sllobodan Millosheviqit.
Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Geoffrey Nice në intervistën për KosovaPress, flet për kërkesën e Prokurorisë së Speciales për dënim me nga 45 vjet burg për katërshen e UÇK-së, të cilën e konsideron të pazakontë. Ai deklarohet edhe për akuzat për të cilat ngarkohen ata dhe origjinën e tyre nga raporti i senatorit Dick Marty.
Britaniku Geoffrey Nice thotë se nuk e ka parashikuar ndonjëherë që do të mund të themelohej gjykatë e re për hetimin e krimeve të luftës, e aq më pak që të merret me vetëm një grup të caktuar.
Kryeprokurori në rastin e Sllobodan Millosheviqit, rast që nuk mori epilog për shkak se i njëjti vdiq gjatë gjykimit në Hagë, thotë se kërkesa e Prokurorisë për dënim me nga gati gjysmë shekulli për secilin nga katërshja e UÇK-së është e pazakontë.
Prokurori i rastit Millosheviq reagon për 45 vitet e kërkuara ndaj UÇK-së.
“Epo, duket një dënim disi i çuditshëm për t’u kërkuar, sepse nuk besoj, nga shumë pak që di, që akuzat ndaj tij janë aq të rënda sa, për shembull, disa nga akuzat e bëra dhe të dënuara, ndoshta me më pak vite burg sesa 45 vite në Tribunalin e ish-Jugosllavisë”, thotë ai.
Juristi britanik 81-vjeçar, Geoffrey Nice, tregon se pas përfundimit të punës në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, iu kërkua të shkruante një artikull për “London Revieë of Books”, lidhur me raportin e Dick Marty, i cili, siç edhe e thotë Nice, pretendonte se Hashim Thaçi dhe të tjerët ishin të përfshirë në vrasjen e serbëve.
Se këto ishin vetëm pretendime e thotë edhe sot Nice, ku thekson se akuzat për trafikim organesh janë bërë nga serbët edhe ndaj kroatëve e boshnjakëve.
Juristi ndërkombëtar, Geoffrey Nice, i cili dikur ka qenë i përfshirë edhe me institucionet vendore përmes opinioneve të tij lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës, thotë se që në fillim kishte ndjerë se kjo gjykatë kishte “qëllime të tërthorta”.
Kësisoj, britaniku i cili ka karrierë të gjatë në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare dhe asaj publike, në intervistën për KosovaPress, thekson se e ka konsideruar që nga fillimi të panevojshëm themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.
