Ish-Presidenti Hashim Thaçi pret sot një aktgjykim tjetër në Hagë, këtë herë për akuza që mbrojtja i kundërshton si të paprovuara dhe juridikisht të gabuara.
Gjykatësi Christopher Gosnell e ka caktuar shpalljen e vendimit për sot, në orën 10:00, duke urdhëruar paraqitjen e të pesë të akuzuarve.
Krahas ish-presidentit, vendimin do ta dëgjojnë ish-drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.
Në qendër të përplasjes mes palëve janë bisedat e regjistruara gjatë vizitave në paraburgim: çfarë është thënë, kush ka folur dhe çfarë provojnë ato.
Prokuroria i interpreton këto materiale si dëshmi të përpjekjeve për ndërhyrje te dëshmitarët. Avokatët e Thaçit kundërshtojnë si interpretimin, ashtu edhe besueshmërinë e transkripteve.
Në parashtrimin përfundimtar, mbrojtja pretendon se hetimet nuk siguruan prova për kontakte të papërshtatshme me dëshmitarët në emër të ish-presidentit.
Sipas avokatëve, pjesë të bisedave ishin të pakuptueshme, ndërsa transkriptimi nga personeli i Prokurorisë rrezikonte të ndikohej nga pritshmëritë e vetë hetuesve.


