Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të vazhdojë sot procesi gjyqësor ndaj Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, të cilët akuzohen për përfshirje në sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2023.
Edhe në këtë fazë të procesit, dy të pandehurit kanë mohuar akuzat, duke u deklaruar të pafajshëm, ashtu siç vepruan edhe gjatë paraqitjes së tyre të parë para gjykatës.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, materialet e siguruara gjatë hetimeve mbështesin dyshimet për përfshirjen e tyre në veprat penale për të cilat po ndiqen penalisht.
Prokuroria ka theksuar gjithashtu se hetimet kanë zbuluar elemente që, sipas saj, tregojnë për përfshirjen e institucioneve të Serbisë në organizimin dhe përgatitjen e sulmit.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë konfiskuar armë, municion, pajisje ushtarake, mjete komunikimi dhe prova të tjera materiale. Sipas Prokurorisë, edhe analizat forenzike, përfshirë testet e ADN-së dhe ekspertizat teknike, i lidhin të akuzuarit me vendin ku ndodhi shpërthimi.
