Emisari për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në një intervistë ka thënë se zbatimi i detyrimeve që burojnë nga procesi i normalizimit mes Prishtinës dhe Beogardit është nën nivelin për të cilin palët janë zotuar dhe zbatimi i marrëveshjeve është i vonuar. Diplomati danez thotë se ua ka bërë të qartë këtë Kurtit dhe Vuçiqit. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Miroslav Lajcak, që i kërkonte Kosovës të nis e para me themelimin e Asociacionit për t’u ndjekur pastaj nga Serbia, Sorensen qartëson se s’bëhet fjalë për atë se kush nis e para dhe se asnjëra palë s’duhet ta presë tjetrën. Ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjeve është detyrues dhe potencon se ndërhyrja nga nivele të larta të BE-së, si znj. Kaja Kallas, në kërkim të progresit, s’mund të zëvendësojë vetë punën që Kosova e Serbia mund ta bëjnë. Për një takim të nivelit të lartë, Sorensen ka thënë se do të caktohet vetëm kur liderët e Kosovës dhe Serbisë janë të gatshëm për rezultate konkrete dhe se të dy e dinë se çfarë duhet të bëjnë për këtë.
Gazeta Express: A jeni të kënaqur me ecurinë e Dialogut që nga emërimi juaj si Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë?
Peter Sorensen: Nuk është kënaqësia njësia matëse, por janë rezultatet konkrete. Dhe që kur kam marrë detyrën, rezultate të tilla janë arritur. Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur është takuar në formatin trepalësh për herë të parë në fillim të këtij viti – kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për familjet që kanë pritur me dekada për përgjigje rreth më të dashurve të tyre. Gjithashtu, gjetëm një zgjidhje të përkohshme për qytetarët serbë që punojnë dhe studiojnë në Kosovë, të cilët tani mund të pajisen me leje pune dhe qëndrimi. Pra, Dialogu po sjell rezultate për njerëzit.
Por do të jem po aq i drejtpërdrejtë: sa u përket detyrimeve thelbësore të Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit, zbatimi mbetet shumë nën nivelin e asaj për të cilën të dyja palët u zotuan – dhe atë çfarë qytetarët e tyre e meritojnë. Këtë ua kam thënë pikërisht si Beogradit, ashtu edhe Prishtinës, dhe fokusi im tani është t’i ndihmoj palët që t’i shndërrojnë ato zotime në realitet në terren.
Gazeta Express: A ka pasur ndikim negativ në procesin e Dialogut fakti që Kosova ka qenë në ngërç politik gjatë dy viteve të fundit?
Sorensen: Mandati im është të ndihmoj Përfaqësuesen e Lartë të BE-së (Kaja Kallas) në lehtësimin e Dialogut Beograd-Prishtinë dhe unë komentoj vetëm atë që është relevante për këtë proces – çështjet e brendshme politike u takojnë qytetarëve dhe institucioneve të tyre. Megjithatë, pyetja prek Dialogun, ndaj më lejoni të theksoj dy gjëra: së pari, vendimet me peshë kërkojnë institucione me mandat të plotë, ndërsa një periudhë e zgjatur qeverisjeje në detyrë kufizon mundësitë për vendimmarrje dhe zbatim. Së dyti – dhe ky është aspekti thelbësor – obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja janë detyruese për Beogradin dhe Prishtinën, jo vetëm për qeveritë e tanishme. Këto obligime nuk pezullohen për shkak të kalendarit zgjedhor apo negociatave për koalicione. Kjo vlen si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin. Detyra ime është ta mbaj procesin gjallë dhe në lëvizje, pavarësisht rrethanave – dhe ai ka vazhduar të japë rezultate.
Gazeta Express: Ju pamë në një vizitë të paparalajmëruar në Kosovë javën e kaluar [Pyetjet janë dërguar më 27 korrik, disa ditë pas vizitës në Kosovë]. Zyra e Kryeministrit Kurti konfirmoi se keni diskutuar për prokurorët nga komuniteti serb dhe pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës. Cili ishte qëndrimi juaj për këtë çështje? A ishte një veprim i gabuar largimi i zyrtarëve të komunitetit serb nga pozitat e tyre në vitin 2022 dhe a e mbështesni Kosovën në shpalljen e një konkursi të ri për ato pozita vakante, për të cilat do të mund të aplikonin edhe serbë tjerë, në vend që në punë të kthehen të njëjtët persona pa një konkurs të ri publik?
Sorensen: Si rregull i përgjithshëm, unë nuk i bëj publike takimet e mia. Bashkëbiseduesit e mi mund ta bëjnë këtë, por unë jo. Shpeshherë, diplomacia e heshtur është ajo që i shërben më së miri procesit. Për sa i përket çështjes që gritët, qëndrimi i BE-së është i qartë dhe publik. Vetë Kushtetuta e Kosovës kërkon një sistem drejtësie shumetnik. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës – në përputhje me ligjin e Kosovës dhe me marrëveshjet e Dialogut, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe Marrëveshjen për Drejtësinë të vitit 2015, e cila është në fuqi që nga viti 2017. Ne e mirëpritëm tërheqjen e dorëheqjeve të gjykatësve dhe prokurorëve serbë të Kosovës më 15 korrik. Ne shprehëm shqetësim për atë që pasoi. Pranimi i dorëheqjeve që tashmë ishin tërhequr duket se bie në kundërshtim me vetë ligjin e Kosovës dhe me procedurat e rregullta ligjore. Kjo është çështje që lidhet me sundimin e ligjit, jo me politikën.
Nuk do t’i rikthehem çështjes së vitit 2022 dhe nuk do të përshkruaj procedurën. U takon institucioneve të Kosovës të veprojnë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e tyre. Ajo që do të vlerësojë BE-ja është rezultati: një sistem gjyqësor dhe prokurorial vërtet multietnik, në të cilin komuniteti serb i Kosovës përfaqësohet në mënyrë efektive – dhe të cilit i beson.
Gazeta Express: Çfarë po ndodh me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit-Brukselit, konkretisht me Aneksin e saj të Zbatimit?
Sorensen: Zbatimi nuk është në nivelin ku duhet të jetë. Dhe zbatimi nuk është “opsional”. Të dyja palët e dinë këtë; BE-ja dhe shtetet anëtare e kanë thënë këtë shumë herë. Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i saj mbeten në fuqi. Ato janë ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët dhe përbëjnë një pjesë integrale të rrugëtimit evropian të secilës palë. Kalimi i kohës nuk ndryshon asgjë.
Gazeta Express: A mbetet ende qëndrimi zyrtar i Bashkimit Evropian se Kosova duhet të jetë e para që fillon zbatimin e Marrëveshjes, në përputhje me Aneksin e Zbatimit të rënë dakord?
