Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DPPSH, Dhimitraq Ziu, ka thënë se në terren do të jenë të paktën 1 mijë e 600 policë shtesë nga disa struktura.
“Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan masash për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ku 1 mijë 600 efektivë do të jenë në terren. Këta policë janë marrë nga Forcat e Shqiponjave, Policia Rrugore, Forcat Operacionale dhe të Sigurisë Kombëtare”, tha ai.
Në disa nga zonat që mund të konsiderohen më problematike do të ketë prani të shtuar të policëve, por edhe stacione provizore policie.
“Zonat që ne i cilësojmë me njollë të zezë dhe problematike janë aksi në drejtim të Lezhës dhe plazheve të Shëngjinit dhe Tales, rruga në drejtim të Vlorës dhe plazhet e Himarës dhe Sarandës, rruga Durrës-Golem dhe Lushnjë-Fier. Përveç pranisë së shtuar të efektivëve të policisë, do të ngrihen edhe disa stacione provizore të policisë në Valbonë, Theth, Koman, Tale, Gjirin e Lalzit dhe Ksamil. Këtu i referohemi edhe turizmit malor, jo vetëm atij bregdetar.” u shpreh Ziu.
