Gjykata Speciale nuk ka dhënë shumë arsyetim ndërsa ka vendosur ta rrëzojë mocionin e përbashkët të avokatëve të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’i hequr nga aktakuza disa pjesë, përfshirë incidente që sipas mbrojtjes binin jashtë periudhës së konfliktit të armatosur.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith tha se nuk është e nevojshme të shkojnë në themel të argumenteve të mbrojtjes, meqenëse ajo që kundërshtojnë avokatët, sipas gjyqtarëve “nuk është akuzë, por është pjesë e një akuze në formën e fakteve materiale të caktuara që përbëjnë akuzat apo pikat në aktakuzë”, raporton Gazeta Express.
Gjykatësi tha se “sa i takon thelbit të kundërshtimit të mbrojtjes, trupi gjykues vëren se incidentet dhe akuzat që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohet prej mbrojtjes, nuk janë akuza brenda kuptimit të rregullës 130”.
“Në fakt ato janë fakte materiale që kanë të bëjnë me akuza dhe pikat në aktakuzë”, tha ai.
Në këtë rast, sipas tij, trupi gjykues nuk ka autoritet të rrëzojë pjesë të akuzave.
“Bazuar në sa më sipër, trupi gjykues nuk është bindur që ai ka autoritet sipas rregullës 130 për të rrëzuar pjesë të akuzave, ose të fakteve materiale që formojnë pjesë të aktakuzës, në qoftë se për shkaqe kohe ose për shkaqe të tjera. Mbi këtë bazë trupi gjykues rrëzon mocionin e mbrojtjes, sipas rregullës 130, në tërësinë e vet”, tha Smith.