Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e ngritur ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh, ka përshkruar veprimet që, sipas saj, i pandehuri i ka kryer më 26 shtator 2025 në Mitrovicën e Veriut.
Sipas aktakuzës, në datën e sipërpërmendur, i pandehuri udhëton drejt Mitrovicës së Veriut dhe gjatë gjithë rrugës shfaq shqetësim se mund të jetë nën përcjellje. Duke planifikuar mënyrën e fshehjes së aktivitetit të tij, ai i thotë një familjari: “Edhe nëse m’ka përcjell dikush t’ja hupi…”.
Kjo bisedë e Shehollit me një familjar/e të tij është zhvilluar brenda makinës "Audi" dhe është incizuar nga organet e hetuesisë së Kosovës në zbatim të Urdhëresës së Gjykatës për zbatimin e masave të veçanta hetimore “Monitorim i fshehtë i bisedave në vende private”.
Zbatimi i këtyre masave të fshehta, sipas urdhëresës së gjykatës, përfshin periudhën e datave 23.09.2025, 24.09.2025, 26.09.2025, 30.09.2025 dhe 01.10.2025, “duke zbatuar planin e BIA-së”.
Pas mbërritjes pranë Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut më datën 26 shtator të vitit të kaluar, gjithnjë sipas aktakuzës së siguruar nga Klan Kosova, ai kontakton me Bojan Dimiqin, zyrtari i lartë i BIA-s serbe, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.
Sipas aktakuzës, pak minuta më vonë, një person me kapele të zezë ia hap derën e automjetit dhe i dorëzon materialin në një fasikël të kaltër dhe shumën prej 5,000 eurosh, ashtu siç ishin akorduar me zyrtarin e BIA-s.
Menjëherë pas pranimit, sipas Prokurorisë Speciale, Fatmir Sheholli e udhëzon bashkëshorten që materialin ta fshehë në trupin e saj, duke i thënë: “Qitash kat shkojna duhet me kqyr. Kqyr onash. Shtini ne gji aty ti”.
Më pas, sipas aktakuzës, ata ndalen në një qendër tregtare për ta verifikuar përmbajtjen e materialit dhe shumën e parave që ishin dakorduar paraprakisht.
Më poshtë janë pjesë nga transkripta e raportit të masës së veçantë me veprimet e përshkruara në aktakuzë, minuta 09:45 - 10:20, me kohën reale 14:39:52, kur Fatmir Sheholli e thërret në telefon Bojan Dimiqin:
Fatmiri: Une jom pertej rruges ne Parking te nje shkolle pikerisht pertej rruges ne hyrje te shkollës teknike ku shkruan kafebar Sindikat aty jam perpara.
Bojan Dimiq: a osht e fshehte diku a po shihet ne hyrje te shkolles teknike, ne rregull ne rregull.
Pas përfundimit të bisedës me Bojan Dimiqin, Fatmir Sheholli vazhdon bisedën me gruan e tij.
Fatmiri: mi sheh tabelat, qaj qe ka me ardh. I kallxova ku jom.
Gruaja e Fatmirit: Po ma mire ... (nuk kuptohet).
Fatmiri: Jo jo qata ja dhash une ni qark me kqyr, (nuk kuptohet) me dal me ec deri qatje, a me nejt nkerr. Mka thon me nejt n kerr. Se kjo shkoll ka kamera. Krejt shihet kush pi len kerret ktu. Edhe knena kqyri flamurat t shkijeve n banesa. Edhe ktu flamur i shkijeve, se kjo osht shkoll e shkijeve nuk osht e jona.
Gruaja e Fatmirit: po de.
Fatmiri: kqyri tabelat krejt BG CC, veq qiky 01 edhe 02.
Gruaja e Fatmirit: i kuj osht zero dyshi.
