Katër shqiptarë, anëtarë të një grupi të krimit të organizuar që ishte i përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen në shkallë të gjerë të kanabisit, janë dënuar me më shumë se 11 vjet burg, pasi hetimet zbuluan se grupi kishte fituar mbi 500,000 paund mes viteve 2023 dhe 2025.
Sipas policisë në Essex të cilës i referohet Top Channel, grupi i udhëhequr nga vëllezërit Sefedin dhe Eldi Tafa, kontrollonte plantacionet e kanabisit dhe siguronin materialet dhe pronat e nevojshme për kultivimin e tij. Ata u ndihmuan nga Servet Dobrushi, i cili merrej me organizimin e shitjes së kanabisit të prodhuar.
Në nivelin tjetër të grupit, ishin Asterjo Sata dhe Reols Havalja, të cilët mbikëqyrnin kultivimet dhe shpërndanin kanabisin dhe fitimet në të gjithë vendin.
Sipas raportimeve, operata e grupit u zbulua pas një hetimi, kur policia gjeti një plantacion kanabisi në Aragon Close, Southend, në mëngjesin e 30 gushtit 2023. Gjatë kontrollit të pronës, u gjetën 446 bimë kanabisi, 5,000 paund në para dhe një portofol që përmbante një patentë shoferi me emrin e Eldi Tafës. Në një ditar të gjetur, ishin të shkruara emrat “Alberti”, “Sefi” dhe “Olsi”, që ishte emri me të cilin grupi e njihte Havaljan.
