Në ditën e tij të parë në detyrë, ministri i punëve të jashtme, Ferit Hoxha, ka mbledhur shtabin e posaçëm dhe ekipin drejtues, në lidhje me situatën në vendet e lindjes së mesme.
Siç ka shkruar në “X”, në fokus të diskutimeve kanë qenë problematikat dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë, si ata rezidentë ashtu edhe ata me qëndrim të përkohshëm në këto vende.
“Shtabi i posaçëm i ngritur në ministrinë për evropën dhe punët e jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë”, thekson ministri.
“Strukturat e shërbimit të jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t’iu përgjigjur çdo situate emergjente. siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute”, përfundon Hoxha.
