Kosova po synon t`i forcojë kapacitetet mbrojtëse përmes blerjes së helikopterëve ushtarakë amerikanë. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se kërkesa i është adresuar Departamentit Amerikan të Luftës. Ekspertët e sigurisë e vlerësojnë këtë nismë si hap të rëndësishëm për forcimin e FSK-së, por theksojnë se vendit i nevojiten edhe sisteme të tjera të mbrojtjes. Ndërkohë, Qendra për Studime Universitare e FSK-së ka fituar riakreditimin pesëvjeçar.
Në vazhdën e paralajmërimeve për blerje të reja të armatimit, Kosova po synon të pajiset edhe me helikopterë ushtarakë, me qëllim të forcimit të kapaciteteve mbrojtëse. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se kërkesa për blerjen e helikopterëve i është adresuar Departamentit Amerikan të Luftës.
Sipas tij, procedurat do të zhvillohen përmes programit amerikan FMS, që mundëson blerjen e pajisjeve ushtarake përmes Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Në kuadër të këtij programi, Departamenti Amerikan i Luftës udhëheq procedurat e negocimit, prokurimit dhe hapat e tjerë që lidhen me blerjen.
Ekspertët e sigurisë e vlerësojnë këtë nismë si zhvillim pozitiv për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës.




