Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka bërë të ditur se, sipas informacionit të përditësuar nga Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, pritet të përfshihet mot i keq gjatë gjithë javës, me reshje të dendura shiu dhe dëbore, si dhe shtrëngata në disa zona atje.
Sipas parashikimeve, dita e hënë, do të nisë me reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Në Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara herë pas here me shtrëngata, ndërsa në pjesën tjetër të vendit priten reshje të dobëta. Intensiteti i tyre pritet të rritet gjatë orëve të pasdites.
Të martën, 18 nëntor, reshjet do të shtohen në të gjithë territorin. Shkodra, Kukësi, Vlora dhe Gjirokastra do të preken nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Lezha pritet të ketë reshje intensive, ndërsa në Dibër, Durrës dhe Tiranë parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata në gjithë vendin.
E mërkura, 19 nëntor, do të sjellë intensitet të lartë reshjesh në të gjithë vendin. Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përjetojnë reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të ketë reshje mesatare deri intensive, të shoqëruara me stuhi.
