Policia e Shtetit ka intensifikuar veprimet hetimore dhe operacionale për parandalimin e zjarrvënieve dhe ndëshkimin e autorëve, duke vijuar në terren bashkëpunimin me shërbimet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe Emergjencat Civile për menaxhimin e situatës kritike të zjarreve që kanë përfshirë disa qarqe të vendit.
Gjatë 72 orëve të fundit, si rezultat i punës së koordinuar dhe informacionit të mbledhur në rrugë operative, janë arrestuar dhe proceduar penalisht 12 shtetas, të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme ose të shkaktuar nga pakujdesia.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vendosur në gatishmëri të plotë strukturat vendore, me udhëzime për shtimin e masave parandaluese dhe ndëshkuese ndaj çdo rasti zjarrvënieje.
Ndërkohë policia i ben apel banorëve, te mod ndezin zjarre në ambiente të hapura, veçanërisht në zona të pyllëzuara apo kullota.
“Mos digjni mbeturina dhe tregoni kujdes maksimal me mjetet ndezëse si cigarja. Çdo zjarr, edhe i shkaktuar nga pakujdesia, do të trajtohet si vepër penale”, thote policia.
Njoftimi i Policise se Shtetit:
Veprime intensive hetimore dhe operacionale për parandalimin e zjarrvënieve, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Apel për mosshkaktimin e zjarreve, me qëllim apo nga pakujdesia pasi çdo autor do përballet me ligjin.
Strukturat e Policisë së Shtetit, krahas angazhimit në terren në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, forcat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencat Civile, për evakuimin e banorëve që rrezikohen nga zjarret dhe për shuarjen e tyre, po vijojnë me intensitet veprimet hetimore dhe operacionale për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorëve të zjarrvënieve, të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia.
Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe të koordinuar të strukturave të Policisë, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, gjatë 72 orëve të fundit janë identifikuar, kapur, arrestuar apo proceduar penalisht 12 shtetas të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në disa qarqe të vendit, konkretisht:
Tiranë: Arrestohet autori i zjarrvënies në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa.
Durrës/Shijak: Arrestohet autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe pyjore në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, duke rrezikuar banesat përreth.
Fier: Arrestohet autori i zjarrvënies në fshatin Frakull e Vogël, si dhe procedohet penalisht një tjetër shtetas që dogji mbeturina në tokën e tij, në fshatin Stan Karbunarë, duke dëmtuar disa rrënjë ulliri në pronësi të një shtetasi tjetër.