Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka uruar Vitin e Ri të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nga ambasada, përmes një postimi në Facebook, zyrtarë të ambasadës, kanë folur për bashkëpunimet që janë zhvilluar gjatë këtij viti mes dy vendeve.
Për këtë, zyrtarja e informacionit në ambasadë, Lindsay Jagla, ka deklaruar se në gjithë vendin ata kanë parë bashkëpunim dhe përkushtim për një të ardhme të begatë.
‘’Ndërsa po e përmbyllim vitin 2025, komuniteti i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dëshiron të shprehë mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj popullit të Kosovës për partneritetin dhe miqësinë tuaj të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara. Në mbarë vendin pamë bashkëpunim, përkushtim dhe një dëshirë të përbashkët për një të ardhme më të begatë dhe më të sigurt’’, është shprehur ajo.
Zyrtari për çështje të ekonomisë, Micah Savige, është deklaruar për bashkëpunimet që janë bërë në rrafshin ekonomik, duke theksuar se gjatë vitit kanë parë se kur bizneset bashkëpunojnë me SHBA’të, ato zgjedhin inovacion, cilësi dhe besueshmëri.
‘’Pamë përsosmërinë amerikane në veprim përmes bashkëpunimit tonë ekonomik. Nga ndërmarrësit kosovarë që krijuan lidhje të reja me kompani amerikane në Samitin SelectUSA, deri te suksesi i markave amerikane si RcCola, Popeyes, Firehouse Subs, Volt dhe Apple Pay. Bashkëpunimi ynë ka ndihmuar në ndërtimin e sektorit privat të Kosovës dhe në zgjerimin e mundësive. Këto partneritete janë një kujtesë se kur bizneset në Kosovë bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara, ato zgjedhin inovacionin, cilësinë dhe besueshmërinë. Me padurim presim të mbështesim edhe më shumë lidhje të tilla në të ardhmen’’, ka thënë ai, transmeton Express.
Edhe drejtori i INL, Kevin Miles, ka thënë se gjatë vitit janë ndërmarrë hapa domethënës, për t’i bërë të dy vendet më të sigurta.
‘’Ne ndërmorëm hapa domethënës për ta bërë më të sigurt të dy vendet tona. Duke punuar krah për krah me institucionet e sigurisë së Kosovës në operacione ekstradimi, siguri kibernetike, luftimin e organizatave kriminale transnacionale dhe drogave sintetike, arritëm përparim konkret drejt qëllimeve tona të përbashkëta të sigurisë’’, ka deklaruar ai.
Nga grupi ushtarak i SHBA’së, David Venez, është thënë se Kosova ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë këtij viti.
