Nga fëmijëria në Kosovën e pasluftës, te jeta dhe angazhimi në Staten Island të SHBA-së, Shpetim Qorraj synon të përfaqësojë Distriktin 64 në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, me mbështetjen e Partisë Demokratike.
Shpetim Qorraj është një emër i njohur në mesin e komunitetit shqiptar në Staten Island të Nju Jorkut. I lindur në vitin 1986 në Kosovë, ai ka ndërtuar një rrugëtim jetësor që përfshin sfida personale, arsimim, sipërmarrje dhe angazhim të vazhdueshëm në komunitet.
Qorraj u rrit në fshatin Pëmishtë, në një periudhë të vështirë për Kosovën, të shënuar nga lufta dhe pasojat e saj. Fëmijërinë e kaloi i rrethuar nga familja dhe komuniteti, ndërsa që në shkollë u dallua për rezultatet e mira dhe përkushtimin ndaj mësimit.
Një nga ngjarjet më të rënda të jetës së tij ishte humbja e babait gjatë luftës, kur ai ishte vetëm 13 vjeç. Megjithatë, kjo përvojë, sipas rrëfimit të tij jetësor, u bë një shtysë për të vazhduar përpara dhe për të ndërtuar të ardhmen përmes arsimit dhe punës.
Pas përfundimit të shkollimit, Qorraj studioi drejtësi, ndërsa më vonë vazhdoi studimet master në të Drejtën Penale. Gjatë këtij rrugëtimi jetoi edhe në Suedi dhe Norvegji, përpara se të kthehej në Kosovë dhe të vazhdonte formimin e tij akademik.
Në vitin 2011, ai vendosi të emigrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku nisi një kapitull të ri të jetës. Atje njohu bashkëshorten e tij, Kathleen Durkin, me të cilën krijoi familje. Çifti ka dy djem, Ronan dhe Bren.
Nga sipërmarrja te angazhimi në komunitet
Pas vendosjes në SHBA, Qorraj iu përkushtua ndërtimit të karrierës profesionale dhe themeloi biznesin e tij. Më pas, së bashku me mikun e tij Kastriot Blakaj, bashkoi përvojën dhe angazhimin për të zhvilluar një kompani të bazuar në punën e palodhur, besimin, ndershmërinë dhe respektin.
