Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur ndalimin e përkohshëm të importit të deleve dhe dhive nga Shqipëria, pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR (murtaja e bagëtive të imta) në Qarkun e Dibrës.
Vendimi është marrë në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si masë parandaluese për të mbrojtur sektorin blegtoral dhe për të shmangur përhapjen e sëmundjes në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar, ndalesa vlen për gjithë territorin e Shqipërisë dhe do të mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër, në varësi të zhvillimeve epidemiologjike.
Autoritetet kanë bërë të ditur se kontrollet do të shtohen në të gjitha pikat kufitare dhe në zonat përgjatë kufirit me Shqipërinë, ndërsa komunat kufitare janë udhëzuar të vendosin masa të rrepta për kufizimin e lëvizjes së bagëtive.
