Një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë i ka thënë të martën Radios Evropa e Lirë se u bën thirrje të gjitha palëve në Kosovë që t’i respektojnë ligjet e vendet dhe t’i ndjekin procedurat e duhura ligjore, kur është pyetur për t’i komentuar zhvillimet e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), që kanë kulmuar me shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendit.
Më 20 nëntor, anëtarja e KPK-së, Jehohna Grantolli e ka propozuar shkarkimin e Kelmendit, pas raportimeve në një media lokale në Kosovë kinse ai kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën gjyqtarja e konsideronte ngjarje të trilluar.
Kelmendi e ka mohuar bashkëpunimin në atë rast, ndërsa vendimin për shkarkimin e tij e ka konsideruar të paligjshëm, duke thënë se është marrë në mungesë kuorumi, prandaj do ta vazhdojë punën në këtë institucion.
Në linjë me qëndrimin e tij kanë qenë edhe disa anëtarë të KPK-së, në mesin e tyre Visar Krasniqi, sipas të cilit çdo vendim i marrë në mungesë kuorumi “është inekzistent” dhe që propozimi për shkarkimin e Kelmendit bazohet “në një energji të qartë të një puçi institucional”.
KPK-ja i ka 13 anëtarë, ndërsa për shkarkimin e Kelmendit kanë votuar pesë prej tyre. Sipas rregulloreve, kuorumi sigurohet me gjashtë anëtarë.
Të njëjtën ditë, në vendin e Kelmendit është emëruar Agron Qalaj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë një ditë më parë se është duke e analizuar procesin nga aspekti ligjor dhe se është në bashkëpunim me shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë) lidhur me zhvillimet në KPK, të cilat i ka quajtur “jashtëzakonisht serioze”.
“Sistemi i drejtësisë në vend është përballur për një kohë të gjatë me sfida sa i përket profesionalizmit, integritetit, pavarësisë dhe paanshmërisë. Është shumë me rëndësi që në mënyrë që deklaratat e mia të mos shihen si ndonjë ndërhyrje, sepse jam person politik që kurrë në karrierën time nuk kam ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, që t’i lëmë vend edhe analizës së përbashkët që e kemi me partnerët tanë lidhur me procesin që ka ngjarë sa i përket shkarkimit apo tentim-shkarkimit”, ka thënë Osmani për gazetarë.
Në ditën e shkarkimit, një anëtar i KPK-së e ka akuzuar Kryeprokrurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, se qëndron mbrapa tentimeve për ta shkarkuar Kelmendin.
Mirëpo, Prokuroria Speciale e ka mohuar ndërhyrjen e Isufajt në vendimet e KPK-së.
Presidentja Osmani kishte refuzuar ta dekretonte Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit në tetorin e 2023-tës, me arsyetimin se kishte pasur shkelje në procesin e përzgjedhjes së tij nga KPK-ja.
Një muaj më pas, KPK-ja e dërgoi përsëri emrin e Isufajt për dekretim, por që atëherë presidentja nuk mori më asnjë vendim.
