Lutfi Haziri nga LDK ka reaguar lidhur me shkarkimin e Kryeprokurorit Blerim Isufaj.
Haziri e ka cilësuar këtë veprim si vazhdimësi të një qasjeje që, sipas tij, ka nisur prej disa vitesh me institucione të pavarura.
“Republika nuk e duron mentalitetin parti-shtet! Kjo qasje filloi para 6 vitesh me shkarkimin e gjyqtares Valdete Daka nga KQZ-ja, vazhdoi me bordet e ndërmarrjeve, komisionet e pavarura, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ambasadorët dhe konsujt, e deri te Agjencia e Kosovës për Inteligjencë”, tha ai.
Duke iu referuar shkarkimit të Isufajt, ai tha se kjo ndodhi pikërisht në kohën kur Kosova nuk ka nevojë për shkarkime dhe pikërisht kur pritej një zgjidhje për një president konsensual.
“Dhe sot, në vazhdën e kësaj qasjeje, pikërisht kur pritej të dilte zgjidhja për një President konsensual, vjen lajmi për shkarkimin e Kryeprokurorit Blerim Isufaj.
Ushtari i lirisë, besimtari i shtetit të së drejtës dhe luftëtari më i madh i korrupsionit sot u ndal. Por çdo ndalje mund të jetë vetëm pika e rikthimit të madh. Kosova ka nevojë për besë e shpresë, e jo për shkarkime të njerëzve më të mirë e autoritativë që kishte sistemi i drejtësisë”, shtoi ai.