Çështja e projektit për gazin amerikan në Kosovë duhet të trajtohet me kujdes, duke u bazuar në interesat strategjike të vendit. Ky është këndvështrimi i profesorit amerikan Daniel Serwer.
Ai në intervistë për KosovaPress, duke e komentuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që ende nuk e ka pranuar projektin, tha se gazi amerikan është i kushtueshëm dhe se e kupton interesimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një marrëveshje të tillë, por theksoi se vendimmarrja duhet të jetë e Kosovës.
“Gazi amerikan është shumë i shtrenjtë. E kuptoj pse amerikanët duan që Kosova ta marrë atë. Do të ndihmonte në plotësimin e pamjes në Ballkan. Dhe kjo administratë, kjo administratë amerikane, është një administratë transaksionale. Ajo dëshiron të bëjë marrëveshje. Kështu që mendoj se Kosova duhet të flasë me amerikanët, por gjithashtu mendoj se Kosova duhet të marrë në konsideratë interesat e veta dhe të marrë një vendim mbi këtë bazë”, tha ai.
Ndërsa, në lidhje me deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka mbrojtur Milan Radoiçiqin, Serwer tha se beson në sistemin gjyqësor për trajtimin e rastit dhe se komentet e Vuçiqit janë të motivuara politikisht.
