Arrestimet e njëpasnjëshme të zyrtarëve policorë dhe të personave të lidhur me pushtetin e deritanishëm në Serbi, pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në zgjedhjet e 25 tetorit, kanë rikthyer në vëmendje një prej problemeve kryesore të sistemit politik serb: pandëshkueshmërinë dhe ndikimin e politikës mbi institucionet e drejtësisë.
Pa e marrë ende zyrtarisht pushtetin, Lista Studentore, e cila fitoi zgjedhjet duke premtuar luftimin e korrupsionit dhe çlirimin e institucioneve nga ndikimi politik, po përballet me një zhvillim që mund të përcaktojë seriozitetin e premtimeve të saj. Prokuroritë kanë nisur të rihapin raste të pazgjidhura, ndërsa në mesin e të arrestuarve janë rreth 20 zyrtarë policorë, përfshirë drejtues të lartë të strukturave të sigurisë.
Megjithatë, përtej arrestimeve të deritanishme, mbetet një pyetje shumë më e ndjeshme politikisht: a do të shtrihen hetimet edhe te rastet ku dyshohet për lidhje mes strukturave shtetërore, sigurisë dhe njerëzve të afërt me Aleksandar Vuçiqin? Në këtë kontekst, rasti i Banjskës dhe roli i Milan Radoiçiqit përbëjnë një nga testet më të rëndësishme për drejtësinë serbe.
Institucionet që nisën të veprojnë pas humbjes së SNS-së
Dy javët e para pas zgjedhjeve në Serbi u karakterizuan nga një valë arrestimesh nën dyshimet për korrupsion, keqpërdorim të pozitës zyrtare, manipulime zgjedhore dhe dhunë ndaj studentëve.
Një prej rasteve më të rëndësishme është arrestimi i Marko Kriçakut, ish-drejtues i Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve të Caktuara, dhe nëntë pjesëtarëve të tjerë të kësaj strukture, të dyshuar për keqtrajtim dhe torturim të studentëve e qytetarëve në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, më 14 gusht 2025.
Studentët kishin raportuar për dhunë fizike dhe kërcënime gjatë ndalimit të tyre pas protestave kundër pushtetit. Prokuroria ka deklaruar se gjatë hetimeve ishte përballur me pengesa nga policia dhe institucionet shtetërore, përfshirë mosdorëzimin e pamjeve të kamerave të sigurisë nga garazhi.
Sipas prokurorisë, institucionet përgjegjëse kishin pritur deri në kalimin e afatit 30-ditor të ruajtjes automatike të incizimeve, ndonëse pamjet ishin kërkuar vetëm gjashtë ditë pas ngjarjes.
Një tjetër rast që po hetohet lidhet me vdekjen e Dalibor Dragijeviqit, i cili vdiq më 7 prill 2024, derisa mbahej në polici në Bor. Tetë zyrtarë të Policisë Kriminale janë arrestuar nën dyshimin për keqtrajtim dhe torturim të tij. Prokuroria kishte lëshuar edhe më herët urdhra për arrestimin e të dyshuarve, por ato nuk ishin zbatuar nga Sektori i Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Brendshme.
Këto raste kanë nxjerrë në pah jo vetëm dyshimet për veprime të paligjshme të zyrtarëve, por edhe funksionimin e një mekanizmi institucional që, sipas pretendimeve të prokurorëve, kishte penguar hetimet.
Prokurori i lartë publik, Goran Illiq, ka deklaruar se pengesat kanë ardhur nga policia, prokurorët dhe gjykatat, duke shtuar se disa raste janë mbajtur në sirtarë, ndonëse mund të procedoheshin.
Për këtë arsye, dy ditë pas zgjedhjeve, Prokuroria e Lartë Publike formoi një komision prej pesë anëtarësh për të shqyrtuar punën e të gjitha 87 prokurorive në Serbi.
Kryeprokurorja Zagorka Dollovac ka deklaruar gjithashtu se pas zgjedhjeve janë hequr pengesat politike dhe institucionale që më parë kishin penguar punën e prokurorive.
Por nëse institucionet kanë filluar të hetojnë zyrtarët që dyshohen për dhunë ndaj studentëve dhe korrupsion, prova më e madhe e pavarësisë së tyre do të jetë mënyra se si do t’i trajtojnë rastet që prekin drejtpërdrejt interesat e ish-pushtetit.
Banjska: Dosja që ende nuk ka marrë epilog në Serbi
Një prej këtyre rasteve është sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjes u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.
Milan Radoiçiq, atëherë nënkryetar i Listës Serbe, mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin. Megjithatë, pavarësisht peshës së këtij rasti dhe pranimit të tij, në Serbi ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj tij.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, ka konfirmuar se hetimet ndaj Radoiçiqit vazhdojnë. Hetimi lidhet me dyshimet për organizim të grupit kriminal, prodhim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.




