Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar opinionin publik dhe mediat se janë caktuar seancat e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale me numër PS.nr.109/24, që ka të bëjë me aktakuzën e ngritur për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PPS.nr.65/2022), më 23 dhjetor 2024, kundër të akuzuarit Grujica Veljoviq, me adresë të panjohur vendbanimi.
“I akuzuari dyshohet për veprën penale “Krime të luftës kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Kjo vepër aktualisht është e inkriminuar si “Krime kundër njerëzimit”, sipas nenit 143 paragrafi 1 nënparagrafët 1.6 dhe 1.7, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Gjykata ka bërë të ditur se, sipas propozimit të Prokurorisë Speciale, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarit, pasi ai është i paarritshëm për organet e drejtësisë.
