Kosova po merr pjesë në Forumin Publik të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare që mbledh përfaqësues të institucioneve, organizatave ekonomike, dhomave të tregtisë dhe komunitetit të biznesit nga vende të ndryshme të botës.
Në këtë forum po e përfaqëson delegacioni i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, i kryesuar nga Kryetari, z. Besart Dreshaj, së bashku me Nënkryetarin, z. Hashim Deshishku.
Gjatë pjesëmarrjes në Forum, delegacioni i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës po zhvillon takime të rëndësishme me personalitete dhe përfaqësues të nivelit të lartë të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.
Në kuadër të këtyre takimeve, z. Besart Dreshaj pati takime dhe bashkëbisedime me Drejtoreshën e Përgjithshme të OBT-së, znj. Ngozi Okonjo-Iweala, z. John Denton, Sekretar i Përgjithshëm i Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), si dhe me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë së Gjenevës dhe drejtues e përfaqësues të tjerë të rëndësishëm të komunitetit ekonomik ndërkombëtar.
Në këto takime u diskutua për zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimin e sektorit privat, rritjen e bashkëpunimit tregtar dhe investimeve, si dhe perspektivën e Kosovës për integrim më të fuqishëm në sistemin ekonomik dhe tregtar ndërkombëtar.
Kryetari Dreshaj prezantoi potencialet dhe të arriturat e Kosovës në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare dhe të bashkëpunimit me partnerët strategjikë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rritjes së përkrahjes për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Po ashtu, delegacioni i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës zhvilloi takime me kryetarë dhe përfaqësues të Dhomave të Tregtisë nga shtete të ndryshme, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim ekonomik, investime, rritjen e shkëmbimeve tregtare, partneritete ndërmjet bizneseve dhe organizimin e forumeve B2B.
Këto takime janë një dëshmi e rëndësisë që ka diplomacia ekonomike në promovimin e Kosovës dhe në krijimin e mundësive të reja për bizneset kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Kosovës në Forumin Publik të OBT-së përbën një mundësi të rëndësishme për ta ngritur zërin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, për të promovuar potencialin e saj ekonomik dhe për të forcuar marrëdhëniet me institucionet dhe komunitetin ndërkombëtar të biznesit.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës do të vazhdojë të angazhohet fuqishëm në funksion të interesave të komunitetit të biznesit, promovimit të Kosovës dhe krijimit të urave të reja të bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar.