Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka thënë se raportet në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë asnjëherë në një pikë kaq të ulët siç janë tani.
Selimi në një intervistë për Ekonomia Online, deklaroi se Kosova po merr mesazhe të njëpasnjëshme nga qeveria amerikane që kjo e fundit nuk është në rrugë të mirë.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së kurrë në historinë moderne të Kosovës nuk kanë qenë në pikë më të ulët, ne mund ta zbukurojmë, ne mund të pretendojmë diçka tjetër, por e vërteta është brutale. Kosova është ende në procesin ku i është suspenduar dialogu për marrëveshje strategjike, SHBA-të kanë dërguar ambasadorë në shumë shtete tjera në Ballkan, por jo në Kosovë. Ambasadorja amerikane apo ushtruesja e detyrës, pak ditë para zgjedhjeve, del me një mesazh të qartë, një editorial, ku thotë që Kosovës po i ikën treni në investimet energjetike amerikane në Ballkan, pra kemi mesazhe pas mesazheve, nga qeveria amerikane që nuk jeni në rrugë të mirë dhe Kosova nuk është në rrugë të mirë. Është shumë me rëndësi. që mos ta mashtrojmë vetveten dhe kjo nuk është rezultat vetëm i ngjarjeve në Amerikë, por është rezultat edhe i sjelljeve tona në Kosovë”, tha ai.
Selimi shprehu shqetësim edhe rreth stafit të pakët në Ambasadën e Kosovës në Uashington.
