Ish-udhëheqësi i UÇK-së, Rexhep Selimi, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi. Para trupit gjykues në Hagë, Selimi ka deklaruar se UÇK-ja nuk është krijuar nga dëshira por nga nevoja dhe se armët për ta ishin mbijetesë.
Përballë masakrave të Serbisë, Selimi ka thënë se nuk kishin zgjidhje tjetër përveçse të vetëmbroheshin.
“Serbia kurrë nuk e fshehu qëllimin e saj ndaj shqiptarëve. Prandaj pyes sërish: Çfarë duhet të bënim ne? Të prisnim radhën për t’u vrarë, apo të iknim nga shtëpitë tona? As njërën dhe as tjetrën. Duhej të rezistonim, prandaj besova që Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje. Kishte nevojë për një si Adem Jashari dhe si UÇK-ja, prandaj iu bashkova UÇK-së. UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira por nga nevoja. Ishte reagim ndaj dhunës sistematike. Nuk ishte aventurë, ishte mbijetesë. Për mua të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh. Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. Shumë nga bashkëluftëtarët kanë vdekur duke i siguruar ato. UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. UÇK ishte ushtri çlirimtare”, u shpreh Selimi.
Ai tutje u shpreh i bindur se kanë bërë gjënë e duhur.