Njohësi i çështjeve ekonomike Dardan Sejdiu, ka thënë se Qeveria në detyrë nuk mund të propozojë, e aq më pak të shtyjë përpara Buxhetin e Republikës për vitin 2026.
Sejdiu ka thënë se këtë nuk e lejon Kushtetuta.
“Jo sepse dikujt nuk i pëlqen, por sepse Kushtetuta nuk e lejon. Jo sepse është debat politik, por sepse është çështje rendi kushtetues dhe rendi kushtetues nuk është formalitet, është themeli mbi të cilin ngrihet shtëpia jonë, Republika e Kosovës”, ka thënë Sejdiu.
Postimi i plotë i Sejdiut:
Sipas Kushtetutës së Kosovës, ndarja e pushteteve është parimi themelor:
• Kuvendi legjislon.
• Qeveria zbaton.
• Gjyqësori garanton.
Kjo ndarje nuk është teori, është garancia e vetme që sovraniteti mbetet te populli, përmes përfaqësuesve të tij në Kuvend, pra deputetëve të zgjedhur. Qeveria i përgjigjet popullit, pra Kuvendit. Kur Kuvendi ndryshon, legjitimiteti i qeverisë mbaron. Në momentin që zgjedhet legjislatura e re, qeveria e mëparshme humb të drejtën për të ushtruar pushtet të plotë, sepse ajo nuk ka më kontroll parlamentar.
Neni 93 i Kushtetutës përcakton se Qeveria “propozon projektligje dhe Buxhetin e Republikës së Kosovës”. Por ky autoritet është i vlefshëm vetëm për një qeveri që ka mandat politik aktiv dhe mbikëqyrje parlamentare. Një qeveri në detyrë që nuk ka më lidhje me Kuvendin e ri nuk mund të propozojë buxhetin e një viti që do ta menaxhojë një qeveri tjetër. Nëse ndodh e kundërta, Qeveria në detyrë përvetëson kompetenca që Kushtetuta nuk ia njeh.
Edhe Ligji për Qeverinë (08/L-117) është i qartë: një qeveri në dorëheqje mund të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme, dhe përjashtimisht mund të propozojë buxhetin, por vetëm nëse është ende nën mandatin e të njëjtit Kuvend. Ky përjashtim nuk vlen për qeverinë në detyrë, e cila ekziston vetëm si administratë teknike deri në formimin e qeverisë së re.
Nëse një qeveri në detyrë propozon Buxhetin 2026, ajo vepron jashtë çdo baze ligjore!
Tutje, sipas Nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, “Anëtari i Qeverisë që zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti qeveritar para certifikimit të rezultateve.” Pra, një ministër që është njëkohësisht edhe deputet, nuk mund të propozojë si qeveri e të votojë si Kuvend. Kjo është shkelje e ndarjes së pushteteve dhe konflikt i pastër interesi.
Ndërkohë, Rregullorja e Kuvendit kërkon që buxheti të shqyrtohet në komisione parlamentare, të cilat japin raport dhe rekomandime përpara miratimit. Pa komisione, procesi është i paligjshëm. Asnjë afat procedural nuk mund të zëvendësojë fazat përmbajtësore të kontrollit parlamentar.
