Opinionisti Dardan Sejdiu ka deklaruar se pjesa dërrmuese e mjeteve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës janë jashtë ekonomisë, duke vlerësuar se gjatë viteve të fundit është dashur të krijoheshin mekanizma për investime zhvillimore.
Sejdiu tha se pas deklarimeve të kryeministrit në detyrë Albin Kurti për rritjen e mjeteve të Trustit, ai ka analizuar të dhënat e fondit.
“Fondi i Kursimeve Pensionale sot i menaxhon 4.2 miliardë euro, që janë kursimet tona pensionale. Prej këtyre 4.2 miliardë eurove, 3.8 miliardë janë jashtë kësaj ekonomie. Nuk po them që të gjitha këto para duhet të kthehen në ekonomi, por për gjashtë vjet një qeveri është dashur të krijojë së paku një instrument financiar që Trusti, në kuadër të politikave të tij investive, të shohë potencial për të investuar në ndonjë projekt zhvillimor në Kosovë”.
