Hulumtuesja dhe bashkëpunëtorja e projektit në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Jeta Loshaj, ka vlerësuar se Samiti i fundit i NATO-s shënoi një kthesë të rëndësishme në raportet transatlantike, duke theksuar se janë tejkaluar disa nga sfidat që kishin karakterizuar marrëdhëniet mes aleatëve.Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Loshaj tha se qasja e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump ka shërbyer si një “këmbanë alarmi” për Evropën, e cila sipas saj duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe mbrojtjen e kontinentit.
Mendoj se ka qenë një lloj këndelljeje për gjithë Evropën. Qasja jo konvencionale e presidentit Trump ka kërkuar një qasje shumë më proaktive nga Evropa për të marrë përgjegjësinë për territorin e saj dhe për autonominë strategjike. Kjo është një çështje që diskutohet prej fillimit të luftës në Ukrainë, por Evropa nuk e kishte marrë seriozisht mesazhin se administrata e re amerikane e ka seriozisht ndarjen e përgjegjësive në fushën e sigurisë”, u shpreh ajo.Sipas Loshajt, tashmë po bëhet më e qartë mënyra se si do të ndahen përgjegjësitë mes ShBA-së dhe Evropës brenda Aleancës.
ShBA-ja do të fokusohet më shumë në parandalimin bërthamor, mbrojtjen konvencionale dhe rajonin Indo-Paqësor, ndërsa Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sfidat që lidhen drejtpërdrejt me kontinentin, përfshirë luftën në Ukrainë. Megjithatë, bashkëpunimi mbetet i rëndësishëm dhe kjo u pa edhe në samitin e kësaj jave” ka thënë ajo. Duke folur për rolin e Turqisë, Loshaj tha se Ankaraja ka dëshmuar se mund të shërbejë si urë lidhëse mes NATO-s dhe rajoneve të tjera.Turqia, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka tentuar të luajë rolin e ndërmjetësuesit mes Ukrainës dhe Rusisë. Samiti i këtij viti dëshmoi se, falë pozitës së saj gjeografike, ajo mund të jetë një urë komunikimi mes komunitetit euroatlantik dhe Lindjes së Mesme. Qasja e saj ka qenë pragmatike dhe është reflektuar pozitivisht edhe në raportet me presidentin Trump”, ka thënë Loshaj
