Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Berat Rukiqi, ka komentuar renditjen e kandidatëve që ish-presidentja, Vjosa Osmani i kishte përfshirë në listën zgjedhore të LDK-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Rukiqi ka deklaruar se marrëveshja ndërmjet LDK-së dhe Osmanit kishte paraparë që në çdo dhjetëshe të listës zgjedhore të përfshiheshin nga dy kandidatë të ardhur nga lista e Osmanit.
“Nuk do të ndalem në emra të veçantë, por marrëveshja ka qenë që 20 emrat e listës që kanë ardhur me presidenten Osmani të jenë në listë dhe kriteri ka qenë që në çdo dhjetëshe të ketë nga dy emra apo kandidatë të cilët kanë ardhur bashkë me Osmanin dhe Osmani të jetë bartëse e listës”, ka deklaruar Rukiqi.
Ai ka theksuar se autorizimet për përpilimin dhe renditjen e kandidatëve në listë i ka pasur kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku por sipas tij, procesi është bazuar edhe në kriteret e miratuara në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së.
