Eurodeputeti holandez Thijs Reuten e ka cilësuar si “turp dhe skandal” faktin që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka mbetur pa u proceduar.Duke komentuar Raportin e Progresit për Kosovën, Reuten tha në “Info Magazine” në Klan Kosova se viti i kaluar ishte i vështirë për vendin, pasi një pjesë e madhe e kohës u shpenzua në procese politike dhe zgjedhje.
“Raporti i Progresit për Kosovën përshkruan një vit të vështirë, gjatë të cilit shumë kohë u shpenzua për formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjet. Prandaj, në raport u theksua se përparimi ishte i kufizuar”, tha Reuten.Ai theksoi se tani pret që Qeveria e re të përqendrohet në zbatimin e reformave.
Reuten kritikoi gjithashtu ngecjen e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE.“Është turp dhe skandal që aplikimi i Kosovës për hyrje në BE ka mbetur në sirtar, pa asnjë arsye”, u shpreh ai.
Sipas eurodeputetit, nuk ka pengesa në traktatet e BE-së që do të ndalonin nisjen e procedurës për dërgimin e pyetësorit për Kosovën, edhe pse disa shtete anëtare ende nuk e njohin pavarësinë e saj.




