Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, po akuzon partitë ish-opozitare për bllokim të konstituimit të Kuvendit. Sipas tij, një gjë e tillë u dëshmua edhe në seancën e fundit konstituive, ku u propozua për kryetar të Kuvendit, deputeti Dimal Basha, i cili s’ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar Kurti II, mirëpo përsëri nuk mori votat e nevojshme, përkundër faktit që PDK kishte premtuar vota për secilin deputet të LVV-së që s’është anëtar i kabinetit qeveritar në detyrë.
Një ditë para seancës së radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë, Rrustemi nuk tregon se kë do të propozojnë LVV për kryetar të Kuvendit, por akuzon PDK-në se po synon t’i vijE radha për të formuar qeverinë me Listën Serbe.
Kosova nuk ka formuar institucionet e reja edhe pas më shumë se gjashtë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Partitë parlamentare assesi nuk po munden të zgjedhin kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët për të konstituuar legjislaturën e nëntë, përkundër edhe dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Mirëpo, Rrustemi thotë për KosovaPress, se ngërçi në Kuvend mund të vazhdojë edhe nëse votohet për kryetarin e Kuvendit. Ai e sheh problematike edhe zgjedhjen e nënkryetarëve, veçanërisht nga radhët e Listës Serbe, ku ai bën thirrje që të mos votohet propozimi i tyre, por deputeti tjetër nga komuniteti serb, Nenad Rashiq.
“Për ne ka qenë e qartë që opozita, veçanërisht PDK, ose më saktë, e udhëhequr nga PDK e pasuar nga LDK, e ka pasur plan strategjik veprimi bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja. Çështje tjetër është që për nevoja të justifikimit në publik kanë përdorur diskurs të caktuar, por dita e djeshme hoqi të gjitha maskat dhe zbuloi edhe planin e opozitës para qytetarëve. Thjesht, ata duan ta bllokojnë Vetëvendosjen nëpërmjet bllokimit të konstituimit të Kuvendit dhe nëpërmjet bllokimit të shtetit të Kosovës. Ndërkohë që nuk duan as zgjedhje, domethënë nuk duan të kalojmë në fazën e dytë që është zgjedhja e Qeverisë, dhe njëkohësisht nuk duan zgjedhje të reja. Prandaj po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit. Kanë thënë vazhdimisht: ‘Ndërroni kandidatin’. Dyqind ditë e kanë mbajtur peng Kosovën me këtë kërkesë. Kur ne e ndërruam kandidatin, ata përsëri votuan kundër. Më pas thanë se nuk duhet të jetë ministër, por deputet. Kur ne propozuam deputetë, ata përsëri votuan kundër. Domethënë, ata thjesht po kërkojnë pretekste për të justifikuar veprimin e tyre bllokues”, thekson Rrustemi.
Duke folur për seancën e nesërme, Rrustemi thotë se i përket Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të bëjë propozimin e radhës për kryetar të Kuvendit. Ai thekson se nëse ish-opozita tenton të diktojë partisë së parë në zgjedhje emrin për kryetar të Kuvendit, atëherë është legjitime që edhe LVV-ja të diktojë emrat për nënkryetarët e Kuvendit që i përkasin atyre.
“Nëse opozita tenton të diktojë emrin për kryetar të Kuvendit që i përket ekskluzivisht fituesit të zgjedhjeve, pastaj është legjitime të presim që edhe fituesi i zgjedhjeve të diktojë emrat për nënkryetarët e Kuvendit që i përkasin opozitës. Prandaj, do duhej të ruanim parimin e përfaqësimit: secila palë vendos vetë se kush e përfaqëson më së miri në këto rrethana. Po, unë pres vështirësi edhe nëse tejkalohet eventualisht zgjedhja e kryetarit të Kuvendit për sa i përket konstituimit të plotë të tij, sepse është cenuar parimi dhe opozita vazhdon të bllokojë. Besoj që kjo do të reflektohet edhe në faza tjera. Po ashtu, si zgjatim i argumentimit tonë politik, ashtu siç po e kontestojmë në KQZ, ne besojmë që deputetët e Kuvendit të Kosovës – pozitë dhe opozitë – duhet të bëhen bashkë për të kundërshtuar zgjedhjen eventuale të nënkryetarit nga komuniteti serb i propozuar nga Lista Serbe dhe duhet të insistojnë që këtë pozitë ta marrë një deputet tjetër nga komuniteti serb, që në këtë rast është zoti Rashiq. U bëjmë thirrje deputetëve të opozitës që të mos votojnë propozimin e Listës Serbe për nënkryetar, por bashkërisht t’i japim mundësinë një deputeti serb që e njeh shtetin e Kosovës dhe vepron në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, deklaron Rrustemi.
Megjithatë, Rrustemi thotë se janë të gatshëm për formimin e qeverisë në momentin kur të rrjedh afati 15-ditor për konstituimin e Kuvendit.
