Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) thotë se “është duke e monitoruar me vigjilencë të shtuar rritjen e çmimit të derivateve të naftës nga operatorët ekonomikë, që merren me tregtimin e derivateve të naftës”.
MINTI njoftoi se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregu e ka intensifikuar mbikëqyrjen në sektorin e derivateve të naftës në të gjithë vendin, “për të mbrojtur konsumatorin, përmes inspektimeve të përditshme dhe të vazhdueshme në terren ndaj operatorëve ekonomikë”.
“Duke qenë se Kosova është vend importues i derivateve të naftës dhe lëvizjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në tregun vendor, por që këto lëvizje të çmimeve të derivateve të naftës duhet të jenë në përputhje me standardet e përcaktuara në bazë të Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
MINTI paralajmëron se “kjo mbikëqyrje do të vazhdojë në mënyrë intensive përgjatë ditëve në vijim, përmes inspektimeve në terren”.
