Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani ka ngritur në Kuvendin e Kosovës çështjen e përfshirjes së mësimit për orientimet seksuale në shkolla, duke i drejtuar pyetje kryeministrit Albin Kurti lidhur me atë që e ka cilësuar si arritje të Qeverisë në fushën e arsimit.
Rrahmani e ka pyetur Kurtin se përse, sipas tij, Qeveria po ua prezanton fëmijëve çështjet e identitetit gjinor dhe martesave mes personave të së njëjtës gjini.
“Në ekspozenë për punën tuaj katërvjeçare, ndër sukseset në arsim keni paraqitur edhe përfshirjen e mësimit për orientimet seksuale në shkolla. Ju e konsideroni arritje kryesore që fëmijëve t’u paraqitet si vlerë civilizuese se njeriu mund ta zgjedhë gjininë dhe të martohet me kë të dëshirojë, përfshirë një person me të njëjtën gjini. Përse ua ofroni këtë fëmijëve të këtij vendi?”, pyeti Rrahmani
Në përgjigjen e tij, kryeministri Albin Kurti tha se diskutimet për arsimin dhe të drejtat e njeriut kërkojnë kuptim të saktë të dokumenteve dhe standardeve, duke iu referuar edhe debatit të mëhershëm për një doracak që kishte nxitur reagime publike.
Kurti tha se për këtë çështje kishte dhënë sqarime edhe përmes një video-adresimi më 17 nëntor 2024 dhe se nuk kishte diçka të re për të shtuar.




