Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), Eman Rrahmani, ka kritikuar miratimin e Ligjit të ri për shtetësinë, duke e cilësuar atë si të padrejtë ndaj shqiptarëve të dëbuar historikisht nga Kosova.
Për këtë, Rrahmani për KosovaPress thekson se megjithëse ligji sjell lehtësime për mërgatën dhe procedura të tjera administrative, ai përmban dispozita që, sipas tij, janë problematike.
Ai tha se ligji parasheh që çdo person që ka jetuar në Kosovë në vitin 1998 dhe ka qenë banor i ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, përfiton të drejtën e shtetësisë së Kosovës, përfshirë edhe pasardhësit e tij, pavarësisht nga vendi apo koha e lindjes.
“Në atë ligj parashihet që secili person, i cili ka jetuar në vitin 1998 në vendin tonë dhe ishte banor i Republikës Federative të Jugosllavisë, i takon e drejta e shtetësisë edhe pasardhësit të tij, pa marrë parasysh a ka lindur në vitin 2026 apo në vitin 2020, kudo që ka lindur, i takon e drejta për shtetësi të Kosovës”,tha ai.
Rrahmani për amandamentet e propozuara dhe të pamiratuara për trajtim të veçantë të shqiptarëve të dëbuar gjatë periudhave historike, përfshirë kohën e Rankoviqit, thotë se krijon një pabarazi.
Kjo, sipas tij, pasi komunitete të caktuara përfitojnë lehtësira automatike, ndërsa shqiptarët e dëbuar duhet të ndjekin procedura të zakonshme, si qëndrimi pesëvjeçar në Kosovë për të fituar shtetësinë.
“Ndërsa, amendamentet e propozuara të deputetit Mazreku, të cilat do t’u mundësonin të gjithë pasardhësve të shqiptarëve, të cilët janë dëbuar nga Kosova, nga koha e Rankoviqit dhe në të gjitha periudhat historike, shqiptarët të cilët janë dëbuar, pasardhësit e tyre nuk kanë të drejtë shtetësie në aspektin e lehtësirave, sepse në Kosovë të drejtë shtetësie mund të ketë secili qytetar, po është procedura që duhet të qëndrojë pesë vjet, me u pranu, ai i takon edhe një shqiptari, edhe cilido nacionalitet në botë që do me u bë shtetas i Kosovës, janë procedura të rregullta”, tha ai.
Rrahmani vlerëson se një nga arsyet pse Lista Serbe e ka mbështetur ligjin është pikërisht kjo dispozitë që çdo personi, i cili ka jetuar në Kosovë me 1 janar të vitit 1998, i lejohet shtetësia edhe pasardhësve të tyre.

