Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat në kryeqytet, në prag të protestës së paralajmëruar për të shtunën.
Në njoftimin e saj, ambasada thekson se protestat në qendër të Tiranës dhe pranë institucioneve qeveritare vijojnë, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar në përplasje të dhunshme, me përdorim të mjeteve ndezëse, hedhje gurësh dhe dëmtim të pronës.
Sipas paralajmërimit, demonstrata të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera të vendit. Ato mund të përhapen edhe në rrugët përreth, duke sjellë shtim të pranisë policore, bllokime të qarkullimit, devijime dhe mbyllje të akseve rrugore.
Ambasada paralajmëron se personat që ndodhen pranë zonave të protestave mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve të hedhur në drejtim horizontal, mjeteve ndezëse dhe predhave të gomës. Për këtë arsye, personelit të saj i është kërkuar të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat.



